Aug 9, 2022
 in 
Studime

Çfarë ndodh me lëkurën tonë nëse nuk e mbrojmë nga dielli?

L

ëkura jonë është gjithmonë e ekzpozuar ndaj diellit, sidomos në stinën e verës. E kemi dëgjuar shumë herë që duhet të përdorim patjetër SPF ose ndryshe kremi mbrojtës, dhe është e vërtetë pasi ky e mbron fytyren dhe trupin tonë nga rrezet e dëmshme apo nga djegia.

Por çfarë ndodh nëse nuk mbrojmë lëkurën? Këtë do t’ju tregojmë sot.

Rreziku i menjëhershëm i diellit është djegia. E kush do të donte një lëkurë të djegur?  Nëse do të shikonim lëkurën e djegur nën një mikroskop të fortë, do të shihnim se qelizat dhe enët e gjakut janë dëmtuar. Me dëmtime të përsëritura, lëkura fillon të duket e thatë, e rrudhur, dhe e ashpër. Edhe pse lëkura duket të jetë më e trashë, ajo në fakt është dobësuar dhe, si rezultat, do të mavijohet më lehtë.

Por ky nuk është problemi i vetëm që mund të shkaktojë dielli, kur lëkura jonë është e pambrojtur.

Kërcënimi më serioz është se dielli është shkaku kryesor i kancerit të lëkurës, i cili tani është më i zakonshmi nga të gjithë kanceret. Mjekët besojnë se shumica e kancereve të lëkurës mund të shmangen duke parandaluar dëmtimin nga dielli.

Si mund të shmangim efektet e padëshiruara nga dielli?

  1. Mbani gjithmonë kremin mbrojtës. Aplikojeni në lëkurën tuaj çdo ditë. Bëjeni zakon, siç keni  larjen e dhëmbëve.
  2. Shmangni diellin në mes të ditës, nga ora 10 e mëngjesit deri në 3 pasdite. Rrezet ultraviolet, të cilat shkaktojnë djegie, janë më të forta gjatë kësaj kohe.
  3. Vishni veshje mbrojtëse. Kur dilni jashtë, veçanërisht për periudha të gjata në mes të ditës. Mëngë të gjata dhe pantallona të gjera, si dhe një kapele me buzë të gjera, ndihmojnë në mbrojtjen e trupit tuaj nga efektet e dëmshme të diellit.
  4. Vishni syze dielli që filtrojnë dritën UV.

Si ta aplikojmë kremin e diellit për mbrojtje maksimale?

Kremrat mbrojtës janë shumë efektivë kur përdoren siç duhet. Ndiqni këto udhëzime për t'i siguruar vetes sa më shumë mbrojtje:

  1. Aplikoni kremin mbrojtës të paktën 20 deri në 30 minuta përpara se të dilni jashtë, sa herë që do të ekspozoheni për 30 minuta ose më shumë.
  2. Riaplikoni kremin mbrojtës çdo 2 orë ndërsa jeni jashtë, edhe nëse produkti thotë që zgjat "gjithë ditën". Nëse laget ose djersitni shumë, aplikoni krem kundër diellit më shpesh.
  3. Mbuloni të gjitha zonat e ekspozuara, duke përfshirë veshët, buzët, fytyrën dhe pjesën e pasme të duarve.
  4. Mos u kurseni; aplikoni një shtresë të bollshme. 
  5. Femrat duhet të aplikojnë krem kundër diellit nën grim. Nëse prisni të aplikoni kremin kundër diellit derisa të dilni në plazh, ju do djersiteni  dhe lagështia i bën kremrat kundër diellit më pak efektivë.

Sigurohuni të gjeni kremin e duhur për llojin e lëkurës tuaj, ndaj për këtë gjë duhet të konsultoheni me një specialist dermatolog.

Nëse jeni të mbrojtur nga dielli, jeni gati për ta shijuar verën.